Shtyp

Fakulteti i Studimeve Islame bën promovimin e katër titujve të rinj

Prishtinë, 07.06.2018

Më datë 06.06.2018 në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame, duke filluar nga ora 18:30, u bë promovimi i katër librave, botim i Fakultetit të Studimeve Islame.

Në këtë eveniment, përveç stafit akademik dhe studentëve të FSI-së, të ftuar ishin edhe myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, përfaqësues nga MASHT-i, përfaqësues të Institutit Albanologjik dhe personalitete të tjera.

Ky evenimet, siç është bërë traditë në FSI, filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga studenti i FSI-së Luan Ukperja. Në vazhdim fjala iu dha dekanit të FSI-së, prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, i cili fillimisht në emër të FSI-së përshëndeti dhe falënderoi prezencën e mysafirëve në këtë evenimet. Më pas dekani, ndër të tjera tha: “Promovimin e këtyre veprave jo rastësisht e kemi paraparë t’i bëjmë në pjesën e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit duke pasur parasysh që në këtë kohë ka filluar zbritja e Kuranit famëlartë, dhe ajeti i parë i cili ka zbritur është ajeti “Ikre-lexo”, i cili nxit për lexim, mësim dhe dije”. Dekani më tutje tha: “Promovimin e këtyre veprave që po e bëjmë sot koincidon edhe me përfundimin e mësimit për vitin akademik 2017/2018. Ne shpresojmë të jetë kjo një përmbyllje e një pune të suksesshme për fakultetin tonë sepse gjatë semestrit të parë të vitit të kaluar FSI ka botuar 7 tituj kryesisht vepra universitare, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti kemi botuar edhe 4 tituj të cilët po i promovojmë”.

Librat të cilat u promovuan janë:

1.      Ndikimi i besimit në sjelljet e myslimanit, autor: dr. Zija Abdullahu

2.      Personalitete në Kuranin famëlartë, autor: dr. Lulzim Esati

3.      Dialogu ndërfetar, udhëzues për myslimanët, autor: Muhamed Shefik & Muhamed Ebu Nimer, përkthyer nga: mr. Besa Ismaili

4.      Reflektim mendimesh në Dave, autor: mr. Rexhep Suma

Për librin e parë në cilësinë e referuesit foli mr. Naim Tërnava, profesor i lëndës së Akaidit në Fakultetin e Studimeve Islame.

Për librin e dytë në cilësinë e referuesit foli prof. ass. dr. Xhabir Hamiti, profesor i lëndës së Tefsirit në Fakultetin e Studimeve Islame.

Për librin e tretë në cilësinë e referuesit foli prof. dr. Nazmi Maliqi, profesor i lëndës Dialogu ndërfetar në kontekstin e Kosovës dhe Evropës Juglindore në nivelin Master në FSI.

Ndërsa për librin e katërt në cilësinë e referuesit foli prof. dr. Hysen Matoshi, profesor i lëndës së Letërsisë dhe shkrimit akademik në Fakultetin e Studimeve Islame.

Në fund të këtij evenimenti dekanati i FSI-së shtroi një iftar për të gjithë mysafirët prezentë.