Shtyp

FSI nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit

Prishtinë, 27.10.2020

 

FSI nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit

 

Sot, më datë 27.10.2020, në prezencë të Ministrit të Ekonomisë, z. Blerim Kuqi, dhe të rektorëve të universiteteve publikë në Kosovë, në emër të Fakultetit të Studimeve Islame, dekani prof. asoc. dr. Fahrush Rexhepi, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet MEA-së dhe FSI-së.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është rezultat i angazhimi një vjeçar të sekretarit të FSI-së, z. Vedat Shabani i cili ka marr pjesë në disa takime me përfaqësues të “KODE Project”, i cili angazhim u finalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.

Ky memorandum mirëkuptimi arrihet në mes të palëve me qëllim ngritjen/zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve dhe zhvillimin e edukimit në Kosovë duke shfrytëzuar kapacitetet dhe mundësitë që ofron "Rrjeti Kombëtar për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës". Ky rrjet pretendon që të arrijë këtë zhvillim duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme dixhitale, si qasje në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme dixhitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë kufirit të Kosovës.

Rrjeti i Kosovës për Hulumtim dhe Edukim (KREN) së shpejti do të jetë pjesë e rrjetit akademik më të madh në Evropë, në “Gigabit European Academic Network” (GEANT). Përmes këtij anëtarësimi, institucionet arsimore në Kosovë do të kenë mundësinë ekskluzive të bashkëpunimit me universitetet dhe institucionet studimore më prestigjioze në Evropë, qasje në punime të ndryshme shkencore të ekspozuara nga universitete të tjera, në rast vizite shfrytëzimin e internetit në kampuset e universiteteve anëtare të GEANT, e-Identifikim Dixhital në platformat e ndryshme të ekspozuara nga universitetet apo institucionet shkencore, qasje në super kompjuter për procesim të të dhënave (big data), etj..

Objekt i këtij memorandumi është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet palëve me qëllim të ofrimit në dispozicion të rrjetit dhe shërbimeve me veti të veçanta, në dispozicion për studentë, profesorë e hulumtues, si dhe personelin administrativ, në funksion të mundësimit të kushteve më optimale për studim e hulumtim përmes shfrytëzimit të teknologjisë së avancuar të informacionit dhe komunikimit.