Shtyp

Studentët e FSI-së dhurojnë gjak

Fakulteti i Studimeve Islame, për nder të 17 shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës, organizoi aktivitetin për dhurimin vullnetar të gjakut.

Dekani i Fakulteti, Fahrush Rexhepi, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që të solidarizohen dhe të ndihmojnë të sëmurit, por edhe të festojnë 9-vjetorin e pavarësisë.

“Mendojmë që nevojat për gjak janë të shumta dhe ne si FSI kemi menduar që me këtë aktivitet të kontribuojmë sadopak në këtë aspekt. FSI përveç aktivitetit të saj në aspektin e studimit, herë pas here organizon edhe aktivitet të sferave tjera, si kulturore, sportive, por edhe humane”, tha Rexhepi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 85 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 15 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.

Vetëm për nevojat e QKUK-së brenda 24 orëve, nevojiten 150 doza gjaku.