Shtyp

Rregullore mbi procedurën e paraqitjes së punimit të diplomës

Nr. 01/12

Data:28.03.2012

Prishtinë

 

Në bazë të neni 108 të Statutit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Këshilli Mësimor Shkencor i Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 28.03.2012 miratoi këtë:,

 

RREGULLORE

 

Mbi procedurën e paraqitjes së punimit të diplomës, mënyrës së përgatitjes së saj, notimi dhe mbrojtja e temës në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës

Neni: 1.

 

Plan-programi i studimeve themelore në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës përfundon me punimin e diplomës. Pas përfundimit të semestrit të fundit të rregullt të studimeve themelore, studentit do t’i caktohet një periudhë prej 12 muajve për t’i përfunduar provimet (periudha e diplomimit).

Studenti mund të kërkojë një herë nga dekani për vazhdimin e periudhës së diplomimit edhe për 12 muaj të tjerë. Nëse merret vendim pozitiv studenti duhet të paguajë dyfishin e tarifës së studimeve për atë periudhë.

Studenti së bashku me punimin e diplomës duhet të akumuloj 240 ECTS kredi.

Neni: 2.

Punimi i diplomës elaborohet individualisht nga studenti duke vërtetuar se aftësitë teorike të arritura gjatë kohës së studimit mund të shfrytëzohen me sukses për zgjidhjen e problemeve praktike në fushat e caktuara shkencore.

Punimi i diplomës paraqet punën e pavarur profesionale të një problemi ose detyre të caktuar teorike, metodologjike, teorike - metodologjike ose profesionale.

Përmbajtjen e punimit të diplomës në bashkëpunim me studentin e konfirmon mentori.

Neni: 3.

Kërkesa për përgatitjen e Punimit të diplomës i dorëzohet Dekanatit pas mendimit pozitiv të mësimdhënësit, respektivisht, mentorit. Kërkesën për temën e diplomës studenti e paraqet në formular të veçantë në të cilin përveç shënimeve të studentit paraqitet: titulli i temës, përmbajtja e saj apo skica ideore e saj lënda mësimore të cilës i përket, emri i mentorit të propozuar dhe data e paraqitjes së temës. (Formulari zakonisht merret tek sekretari i FSI-së).

 

Neni: 4.

Mentori përcaktohet nga radhët e mësimdhënësve mësimor-shkencor ose shkencor të asaj fushe për të cilën është propozuar tema.

Këshilli Mësimor-shkencor mund të sjell vendim për ndërrimin e mentorit, nëse kërkohet dhe arsyetohet nga ana e kandidatit ose mentorit ose shumicës së anëtarëve të Këshilli Mësimor-shkencor.

Neni: 5.

   Në fillim të semestrit të –VIII-, studenti i cili i ka kryer provimet e semestrave paraprak, dorëzon te sekretari i Fakultetit, me marrëveshje dhe bashkëpunim paraprak me mentorin, kërkesën dhe skicë ideore të projektit të punës së diplomës.

Dekanati e shqyrton dhe prononcohet në lidhje me pranimin ose refuzimin e temës në afat prej 3 ditë pune. Në programin e hartimit të punimit të diplomës, studenti është i obliguar të bashkëpunoj me mentorin.

Kërkesën të cilën e ka nënshkruar mentori, studenti e dorëzon te sekretari për të bërë regjistrimin.

Neni: 6.

Studenti ka të drejtë të ndërroj temën njëherë. Në këtë rast studenti duhet të lajmëroj mentorin dhe shërbimin e studentëve dhe në fletëparaqitje shënohet që studenti tërhiqet nga tema e paraqitur.

Neni: 7.

Temën e përfunduar të diplomës kandidati e lidhë dhe e dorëzon te sekretari i FSI-së së bashku me shkresën e marr nga mentori për lejim të botimit të punimit. Kandidati është i obliguar që temën e diplomës ta dorëzoj në 5 ekzemplarë, në sekretarinë e Fakultetit. Sekretari ia dorëzon Dekanatit punimin e diplomës, dhe, pasi të konstatojë se kandidati i ka dhënë të gjitha provimet sipas planit mësimor dhe i ka kryer obligimet tjera të parapara për provime dhe për mbrojtjen e temës së diplomës.

Nëse punimi i diplomës pranohet si i përfunduar, atëherë Dekanati e cakton komisionin prej tre anëtarësh, të cilët duhet të jenë mësimdhënës të të njëjtës fushë ose të ngjashme me temën e propozuar,: kryetarin e komisionit, një anëtar dhe mentorin për vlerësimin dhe diskutimin e punimit. Mentori nuk mund të zgjidhet kryetar i komisionit.

Këtë vlerësim dhe caktim të komisionit Dekanati e miraton në afat prej 7 ditë pune, dhe e informon sekretarin për komisionin, datën dhe orën e mbrojtjes së punimit të diplomës. Afati i Komisionit vlerësues bëhet në marrëveshje me Dekanatin sipas përshtatshmërisë së kohës që i përgjigjet anëtarëve, dhe aktivitetit brenda Fakultetit, por jo më shumë se 15 ditë pune.

Neni: 8.

Sekretari i FSI-së obligohet që komisionit vlerësues t’ua dorëzoj nga një kopje të punimit të diplomës. Po ashtu obligohet ta informojë kandidatin me shkrim ose në mënyrë gojore për ditën dhe orën e mbrojtjes së Punimit.

Sekretari e bënë regjistrimin e temës së diplomës në protokoll, së bashku me fletëparaqitjen për mbrojtjen e temës dhe të njëjtën ia dorëzon kryetarit të Komisionit ditën e mbrojtjes së punimit.

Neni: 9.

Me Kërkesë të studentit, Dekanati i Fakultetit mund t’i lejoj studentit prolongimin e afatit për mbrojtjen e Punimit të diplomës për kohën sa edhe zgjat arsyeja ose pengesa. Pas skadimit të këtij afati, studenti e humb të drejtën për mbrojtjen e Punimit.

Neni: 10.

Mbrojtja e Punimit është publike, dhe zhvillohet në lokalet e Fakultetit.

Procedurën e mbrojtjes e udhëheq kryetari i komisionit, i cili paraqet të dhënat biografike të kandidatit kurse kandidati në kohëzgjatje më së shumti prej 15 minutash paraqet rëndësinë e Punimit, përshkruan metodat e aplikuara dhe përfundimet. Kandidati gjatë paraqitjes tregon se ka bërë punë të pavarur dhe se njeh literaturën e përdorur.

Pas përfundimit të parashtesës me gojë ose me shkrim të kandidatit, komisioni fillon të parashtroj vërejtjet, propozimet, sugjerimet, si dhe pyetjet lidhur me Punimin. Parimisht secili anëtar i komisionit parashtron më së shumti tri pyetje.

Pasi që kandidati të përgjigjet në pyetjet e parashtruara, anëtarët e komisionit tërhiqen për të marr vendimin për mbrojtjen e Punimit të diplomës.

Neni: 11.

Vlerësimi i Punimit të diplomës dhe mbrojtjes së saj me gojë nga kandidatit, bëhet me shumicën e votave të Komisionit, i cili publikisht e kumton notën e Punimit të diplomës, dhe gradën shkencore të arritur sipas Statutit të FSI-së.

Notat për vlerësimin e mbrojtjes së Punimit të diplomës janë të njëjta me notat në provime. Nota paraqet shkallën prej 5 deri më 10. Nota 5 paraqet se studenti nuk e ka mbrojtur punimin me sukses, kurse notat prej 6 deri më 10 paraqesin vlerësimin se studenti e ka mbrojtur me sukses punimin.

Formësimi i notës bëhet konform sistemit të kredive ECTS, i përcaktuar me silabusin e lëndës Punim diplome.

Nota përfundimtare e Punimit të diplomës dhe nënshkrimi i anëtarëve të komisionit shkruhet në fletëparaqitjen e Punimit të diplomës, në procesverbal dhe në indeks.

Procesverbalin dhe fletëparaqitjen e Punimit të diplomës kryetari i komisionit i’a dorëzon sekretarit të FSI-së.

Neni: 12.

Nëse Punimi i diplomës ose mbrojtja e tij është vlerësuar nga ana e komisionit, se kandidati duhet të vazhdoj të plotësoj temën e diplomës dhe të eliminoj të metat sipas udhëzimeve të kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, kandidati në afat prej tridhjetë ditësh prej komunikimit të notës, është i obliguar në bashkëpunim me mentorin ta sjell punimin e përmirësuar, në dy kopje dhe t’ia dorëzon kryetarit të komisionit, i cili pas vlerësimit do ta bëj pranimin apo refuzimin e temës, dhe e përgatit një raport me shkrim të cilin e dorëzon në sekretarinë e FSI-së, që kandidatit, në rast lejimi t’i jepet diploma, dhe kopjet të arkivohen në librari.

Sekretari mban evidencën e studentëve të diplomuar, ndërkaq punimet e diplomave dhe listën e tyre e mban bibliotekisti.

Neni 13.

 

Kjo rregullore hyn në fuqi ditën e miratimit nga KMSh-ja.

 

Vërteton:

Prof. dr. Qazim Qazimi, dekan

________________________